Friday, March 13, 2009

Faik Teodori - miku i çamëve
(Mbresa të poetit Namik Selmani)

1
“Unë e kam nusen çame dhe mund të betohesh për kokën e saj”…
“Miqtë më të mirë të mi janë çamë. I kam vënë në provë shumë herë e nuk e kam ndryshuar kurrë mendimin për ta”…
“Kam një fqinjë çame dhe shkojmë shumë mirë”…
“Kur kam qenë në një dasmë çame, jam çuditur se sa bukur kërcenin ata. Se sa mirë na kanë pritur. Nuk kisha parë kurrë një dasëm të tillë kaq të ngrohtë”…
“Kam lexuar një libër për Çamërinë dhe jam çuditur kur mësova kaq shumë gjëra që nuk i dija për të”…

“Njoh një nënë çame që gatuan ca byrekë të shijshëm e bakllava shumë të mirë e që nuk harron të na e sjellë edhe neve pjesën dhe e kemi të vështirë ta ndajme se të gjithëve na shijon shumë”…
“Kur dëgjojmë këngën “Vaj e mall për Çamërinë”, në shtëpi, një pjesë prej nesh qajnë, si të na ketë ndodhur neve ajo flamë e grekut”…

…Mund të vazhdoja pa fund me këto copëza rrëfimesh të njerëzve që nuk kanë lindur në Çamëri e që nuk kanë lidhje gjaku me këtë krahinë. Janë ca rrëfime që ngjajnë me copëza të kaltra qiellore të marra nga qielli i paanë i Shpirtit Çam, i përhapur tashmë jo vetëm te nipërit e stërnipërit tanë, por edhe te miqtë që gjetën në Shqipëri, pas dëbimit tragjik, ku i priste jo vetëm gjuha shqipe, xhamitë ku të falnin ezanet, puna plot djersë të ndershme, por edhe miqësia e re që ishte më madhja pasuri që kanë gjetur çamët në 63 vjet…

Kam dëgjuar të flasin ata që na njohin mirë dhe ata që bien qoftë edhe një herë në kontakt me komunitetin çam, të moshuar, vajza apo djem qofshin, me shkollë apo edhe pa shkollë të lartë. Dhe tek i dëgjoj, sepse më ngjajnë, herë-herë, me ca purteka të florinjta në sepetet e një zemre që regëtin njëlloj siç regëtin fryma hyjnore e asaj toke që prindërit e kanë lënë larg fizikisht, por jo të harruar, e Çamërisë…

Unë nuk dua të besoj se këto fjalëngrohta janë të stisura nga ata që i thonë me aq emocion. Jo, askush sot nuk mund të thotë atë që nuk e ndjen. Dhe gazmohem kur ka kaq e kaq shumë vendas që përsërisin deklarata të tilla për ne, çamët...

2
Mes tërë atyre personave të panumërt që janë me plot gojën miq të Çamërisë, do të veçoja Faik Teodorin. Është vërtet miku ynë. Faiku është dibran në origjinë, po dhe aq burrë i urtë në tërë kuptimin e fjalës. Nëse ai mburret sinqerisht se ka shumë miq çamë, them se edhe miqtë e tij prej Çamërisë duhet të lumturohen se kanë në krah një fisnik të rrallë. E kanë jo thjesht si një mik të ditëve të vështira, siç jemi mësuar të themi shpesh për një miqësi, por shumë më tepër se kaq…

Rreth katër vjetë më parë Faik Teodori u ndodh me punë në fshatrat e Sarandës dhe në ato të zonës së Konispolit. Ndihej i mrekulluar nga bukuria e atyre vendeve. Kur ndodhej në ballkonin e Konispolit dhe shihte fushën e gjërë të Vardarit, kur ndjente në mbrëmje aromën e borzilokut dhe manxuranës në jastëkët e jorganet e shtëpive të asaj qyteze të bardhë, kur dëgjonte ato fjalë vërtet të bukura të leksikut çam, kur shihte se si nënat çame të Konispolit kishin edhe traditën e të larit të rrobave me finjë (hi i zier), kur shijonte gjellët e shijshme të vatrave konispolate dhe kur shijonte kudo mjaltin e ëmbël, malën e gjërit, siç thonin për të vendasit, ndihej i lumturuar, njëlloj si në Dibrën e tij…

Kishte për krah mikun e tij, shkrimtarin çam Shefki Hysa. Dhe i frymëzuar nga prania e tij, bëhej edhe Faiku nga pak poet e kujtonte një për një të gjithë ato që i kishin ndodhur xhaxhait të tij, Jasin Teodorit, para 60 viteve, pikërisht në Konispol, në këtë palcë të paprishur Çamërie. I kujtonte siç ia kishte rrëfyer vetë xhaxhai, Jasini, i cili atëherë në moshën 18 vjeçare bënte ushtrinë në këtë zonë. Ai nuk jeton më, por Faikut i sillen ende në mendje kujtimet e xhaxhait. Për çudi, Jasin Teodori, ushtari i ri, në Konispol, dëgjonte në çdo rrugë emra burrash, fëmijësh e djemsh të ngjajshëm me emrin e tij. Konispoli ngjasonte aq shumë me Zerqanin e largët, vendlindjen e tij?!…

Kjo përshtypje i krijohej tanimë edhe Faik Teodorit, tek sodiste natyrën konispolate, njëlloj si dikur xhaxhait të tij, Jasinit…

Pra, kujtimet e Jasin Teodorit, ishte lidhja e parë që fisi i nderuar i Teodorëve bënte me çamët.

Dhe këtë lidhje do ta forcpnte e do ta vazhdonte edhe më shumë në ditët tona, burri mentar, Faik Teodori…

3
Të gjithë pjesëtarët e familjes Teodori e dëgjonin shumë herë atë djalë, Jasin Teodorin, atëherë 18 vjeçar, të rrëfente për jetën e tij si ushtar në Konispol. Rrëfimet e të riut Jasin ishin nyja e parë e lidhjes së Teodorëve me Çamërinë, me hallet e kulturën e saj, me bukuritë e saj përrallore, me tërë ata njerëz që ishin shpërngulur vetëm pak muaj më parë nga Trojet e Gjakut, me forcë… Krahas shpërnguljes masive të muhaxhirëve çamë që vinin e nguleshin në truallin amë, në Shqipëri, Jasini kujtonte edhe jetën e gjallë të Konispolit, shtëpitë e bardha prej guri, në mes të gjelbërimit të ullinjve, madje edhe kasollet e bagëtive që ishin të mbushura me qilimë shumëngjyrësh të punuar me dorë nga nënat konispolate. Bashkë me ato pamje të magjishme të natyrës, me mbresat e pashlyeshme të miqësive të reja, ushtar Jasin Teodori kujtonte edhe meloditë e sazeve të ëmbla të Konispolit dhe, sa herë që dëgjonte gjatë jetës së tij saze të tilla, thoshte se ato ishin vetëm të Çamërisë. Kujtonte nënat shamibardha që ua mbushnin miqve duart plot me bajame e me sa e sa fruta karakteristike të asaj zone... Dhe nuk rreshtte së rrëfyeri… Shpirti i tij frymonte prej asaj bote aq të rrallë. Dhe fryma miqësore çame shoqëroi kudo jo vetëm Jasinin, por edhe familjen e tij, tërë fisin Teodori…

Pra, si në Zerqan, ku ka lindur Faiku, edhe në Tiranë, ku jeton ende sot me babanë e tij, Ademin, dhe nënën Hajrien, ai dhe mbarë fisi i tij u miqësuan aq shumë me çamët, sa që u bënë si njerëz të shtëpisë tek shumë familje të këtij komuniteti… E njëjta frymë atdhedashurie, e njëjta frymë hyjnore e besimit te Zoti, e njëjta mençuri odash shpalosen njëlloj si në Dibër e në Çamëri.

Shpalosen të kthjellta e pa mjegullnaja si ajo e asaj dite që na shfaqej e trishtuar teksa sodisnim Tiranën bashkë me Faikun, nga kati më i lartë i një pallati, ku gjenden zyrat e tij... Pra, në tërë këto vite, u lind, buisi dhe po rritet një miqësi e re, e fortë, e palëkundur, miqësia e shqiptarëve me çamët…

Një plak të nderuar e aq miqësor si Adem Teodori mund ta gjesh sot e në të gjithë kohërat në secilin fshat të Çamërisë… Mentar i rrallë edhe Ademi, si burrat e qëmoçëm dibranë, që drejtonin kuvendet… Kur u ndanë tokat, më 1990, e një pjesë fshatarësh vrapuan që të merrnin më shumë se sa u takonte, Adem Teodori zuri t’u fliste me atë urtësi karakteristike që edhe sot mbahet mend… Dhe ishte pikërisht urtësia e tij që shmangu sherret që mund të sillte pushtimi i tokës së tjetrit… Bashkëfshatarët e Ademit këtë urtësi e kanë parë edhe te djemtë e tij… E kanë parë nga afër edhe shumë miq të Faikut e të vëllait të tij, Halil Teodorit, ish politikanit shqiptar që tani po specializohet në disa fusha dhe që jeton jashtë atdheut, në Amerikë. E kanë parë sa e sa herë kur i kanë takuar e kanë bashkëpunuar dhe kur kanë pirë qoftë edhe nga një kafe miqësore me njerëzit e fisit Teodori...

Para pak kohësh, baba Ademit i ndodhi një aksident, por sa u çudit kur pa se sa miq i erdhën në spital e, më tej, në shtëpi. Mes tyre kishte edhe shumë miq nga grupi i familjeve çame. Kur u bë më mirë, Ademi i përcillte deri larg te rruga miqtë që i kishin nderuar shtëpinë. Dhe sa i lumturuar ndihej, sikur të ishte rinuar…

Ademi tregon me krenari se djemtë e familjes Teodori i kanë bërë krushqitë me vajza nga Jugu. Për rastësi të bukur, edhe shumë fqinjë në vende të ndryshme të Tiranës, ku banojnë, kanë qenë e janë nga Jugu. Janë edhe nga Çamëria dhe me ta shkojnë shumë mirë… Ndërrojnë edhe gjellën e mirë që bën secila familje fqinjë...

4
Faik Teodori, ky mik i nderuar i Çamërisë, e ka rijetuar dramën çame shumë më të qartë në vitin 1999, kur radhën e genocidit tragjik të shpërnguljes dhe të vrasjes, e pati popullsia e Kosovës. Atë që mund ta bënte me shumë dëshirë Ademi dhe familja e tij në Zerqan, në vitin 1944-45, kur çamët u dëbuan me gjak nga trojet e tyre, por që nuk e realizuan dot për largësinë e madhe gjeografike, Teodorët e bënë me shumë dëshirë, me vëllezërit kosovarë… I mikpritën muhaxhirët me aq dashuri… Disa familje nga Juniku i Kosovës e patën si shtëpinë e tyre vatrën e Adem Teodorit e Faik Teodorit… Dhe fryma e miqësisë mbijetoi dhe u forcua edhe pas rikthimit të kosovarëve muhaxhirë në Kosovë… Tashmë ata vijnë për t’i vizituar për çdo rast të rëndësishëm miqtë dibranë, ndërkohë që edhe familja e Faik Teodorit ua kthen vizitat, ka marrë pjesë në dasma e gëzime që kanë pasur kosovarët në Junik e gjetkë…

5
Kur e pyet Faikun se çfarë gjen të bukur e të përbashkët me Dibrën, krahinën e tij, te çamët, ai thotë: “Çamët janë njerëz shumë punëtorë e praktikë. Kur je praktik, nuk mund të karakterizohesh aspak nga cilësia e pabesisë, cilësi që kërkojnë t’ia japin padrejtësisht kësaj popullsie. Janë shumë bujarë dhe po kaq të mençur… Para disa kohësh ishim me Shefki Hysën në Durrës dhe më bëri përshtypje se pronari i lokalit që ishte çam, na priti me një bujari aq të madhe, sa që nuk mund të besohet lehtë. Po edhe miku im, çami Shefki Hysa, i njeh Bulqizën e Dibrën aq mirë, i viziton shpesh, gjë që ma shton më tepër repektin për të… Nëse do të binte rasti që në familje apo edhe në fis të vinte një nuse came, ose të martonim një vajzë te miqtë tanë çamë, do ta quaja një nder të madh për të gjithë jetën… Dikur kam dëgjuar se një shkrimtar i madh është shprehur: “Në do nder e burrëri, shko në Çamëri!”…

“Më pëlqen shumë edhe folklori i kësaj krahine. Në kohën time të punës e quaj një shlodhje të madhe kur vë të dëgjoj këngën e Çelo Mezanit, vallen e Osman Takës e shumë këngë lirike e epike të krahinës së Çamërisë, vazhdon të rrëfejë Faiku”... (Brenda pak kohe ai vë në monitorin e kompjuterit disa këngë çame njëra pas tjetrës)…

Pas muzikës çame, Faiku, si një strateg i mirë, hap harta, vë përpara numra që vetëm ai di se si i komandon, pa harruar se më vonë e presin të tjera punë, të tjerë njerëz…

6
Miku i çamëve, Faik Teodori, merret kryesisht me hidrocentralet dhe me minierat, në një kohë që në vitet ‘90 i është dashur të bëjë shumë punë për të mbijetuar, për të gjetur rrugën e jetës me djersën e mendjen e tij. Përpiqet të ndërtojë hidrocentale, si për t’u treguar të gjithëve dëshirën e madhe të kahershme njerëzore për më shumë dritë në jetën e kombit tonë…

Faikut i ka hije edhe ëndërr e bukur: Në se një ditë çamët do të shkojnë në vendlindjen e tyre, ose shteti grek do të lejojë ndërtuesit shqiptarë të investojnë në tokat e Çamërisë, ai do të ishte i pari që do të ngrinte në atë tokë të bekuar një hidrocentral të madh që t’i jepte dritë çdo skaji… E kështu do të ndriçonte edhe valët e bukura të Jonit, në tërë bregdetin çam… Këtë dëshirë ia shpreh sa herë edhe mikut të tij, çamit Besim Islami, intelektual që e ka lidhur jetën e vet me projektet për zhvillimin energjitik të Shqipërisë… Dhe Besimi, i ngacmuar në sedrën profesionale dhe atdhetare, zë e i rrëfen Faikut se Çamëria është një nga trevat më të bukura të Europës, një perlë e Ballkanit që e meriton dritën e shpirtrave atdhetarë shqiptarë… Se ka nxjerrë figura të shquara si Pirua i Epirit, Hasan Tahsini, Bilal Xhaferri e sa e sa të tjerë…

Në shtëpinë e prindërve të Faik Teodorit ka shumë mall. Një mall shpesh edhe i trishtuar… Të duket se ky mall i ngjan atij të nënave e baballarëve, gjyshërve të thinjur e gjysheve të pakta çame që janë kërrusur paksa nga vitet si një ulli kokërrngarkuar që pret të vilet… Është malli që kanë për Çamërinë dhe shtëpitë e mbetura jetime, të bëra gërmadhë nga gjylet greke e nga vitet… Por Teodorët e kanë pak më të lehtë… Shtëpia-kullë e tyre në Smollikun e bukur, pranë Zerqanit, diku pranë Bulqizës së borëtuar, për fat të mirë, mbahet ende fort… Sikur nuk do që të shqetësojë banorët e saj të dikurshëm… Ashtu e fortë pret çastin kur ata do t’ia hapin dyert e do të futen të përmalluar në odat e zbardhëlluara nga gëlqerja dhe të mbushura me aromën e lisave në dyert e saj… Pse jo, Teodorët edhe do ta këndojnë ndonjë këngë si në rininë e tyre… (Tanimë Teodorët këtu në Tiranë kanë krijuar një lagje të vogël me të gjithë fëmijët e dikurshëm të kullës së Zerqanit, të burrëruar e të bërë vetë prindër)… Në shtëpitë e tyre të reja tiranase vijnë shumë herë edhe miqtë çamë që priten me atë kod të përjetshëm të mikpritjes që ka qenë po kaq i pagabuar sa në Dibër edhe në Çamëri…

7
Faik Teodori e heq paksa mallin e tij për fshatin (ka ikur nga vendlindja para dyzet vjetësh) me kujtimet e tij, të prindërve, me vizitat në të, por edhe duke e parë në ekranin e një kompjuteri të madh nëpërmjet valëve të satelitit…
Diku, në zyrën e tij, në shtëpi me fëmijët e me miqtë, herë pas here, Faiku lexon poezi, tregime dhe materiale të ndryshme për Çamërinë. Diskuton si një kritik i rreptë dhe i saktë me mikun e vet, shkrimtarin Shefki Hysa, për shkrimet e botuara në revistën “Krahu i Shqiponjës”, për figurën e veprën e Bilal Xhaferrit dhe për rrugët që duhen ndjekur për zgjidhjen e problemit çam… Diskuton edhe për planet krijuese të Shefki Hysës, madje i jep edhe ide për krijimtarinë. Herë-herë Faiku merr pjesë edhe në ndonjë mbledhje për problemet e popullsisë çame, si dhe në veprimtaritë e shumta të komunitetit të tyre, me gjithë ngarkesën e punës që ka… Herë pas here ndihmon edhe financiarisht, me mundësitë e tij, veprimtari të ndryshme kulturore për Çamërinë apo revistën “Krahu i Shqiponjës”…
Faik Teodori ka besim të madh se pas Pavarësisë së Kosovës do të zgjidhet si jo më mirë edhe problemi çam…

8
T’u mjaltoftë fjala për Çamërinë, o Faik Teodori!… Oda çame s’do të kishte kaq hijeshi pa fjalën tënde që i ka rrënjët e saj te urtësia dibrane… Kur njerëzit e një kombi vihen në krah të njëri-tjetrit, si miq të njohur jo prej disa vitesh, por prej shekujsh të tërë, ngjajnë nganjëherë si male që lëvizin e bashkohen në një të vetëm… Dhe kështu ka për të qenë gjithmonë mes miqsh të vërtetë… Atëherë edhe agimet do të jenë më të shumëpritur, më të gazmuar për njerëzimin…
E kush nuk lumturohet kur është para kësaj miqësie kaq të rrallë?!...

No comments:

Post a Comment